Projekti “Albania Smart City”, një nga nismat më të mëdha të qeverisë shqiptare në fushën e sigurisë publike dhe teknologjisë, po shoqërohet me rritje të ndjeshme të kostos financiare, duke arritur në 134.4 milionë euro, pa një shpjegim të detajuar publik për arsyet e këtij zgjerimi buxhetor.
Sipas dokumentacionit zyrtar, kostoja indikative e projektit është rishikuar disa herë që nga faza fillestare. Fillimisht, “Smart City” ishte parashikuar si një projekt me rëndësi kombëtare me një vlerë rreth 60 milionë dollarë amerikanë. Pas zhvillimeve të këtij viti, dhe konkretisht pas vizitës së presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe në Tiranë në muajin shkurt, projekti mori një dimension të ri financiar.
Në mars, Kuvendi miratoi një projektligj për ratifikimin e një marrëveshjeje huaje me Fondin e Zhvillimit të Abu Dhabit, me vlerë 118.5 milionë dollarë amerikanë, e destinuar për financimin e sistemit të kamerave të sigurisë nën administrimin e Policisë së Shtetit, në kuadër të projektit “Smart City”.
Sipas përmbajtjes së projektit, parashikohet instalimi i 2 239 kamerave ANPR për njohjen automatike të targave, 2 602 kamera PTZ për monitorimin e trafikut, 3 816 kamera trupi për efektivët e Policisë së Shtetit, si dhe vendosja e 100 radarëve inteligjentë dhe 100 sensorëve për monitorimin e flukseve të qarkullimit rrugor në të gjithë vendin.
Megjithatë, rishikimet financiare nuk janë ndalur. Në muajin korrik, kostoja indikative e projektit ishte 112 milionë euro, ndërsa me përditësimin e listës së projekteve me rëndësi kombëtare në muajin nëntor, ajo u rrit në 134.4 milionë euro. Me kursin aktual të këmbimit, kjo shumë përkthehet në rreth 157 milionë dollarë amerikanë.
Rritja e fundit përfaqëson ndryshimin më të madh financiar që nga nisja e projektit dhe ka shtuar diskutimet mbi arsyet e zgjerimit të buxhetit, mënyrën e përzgjedhjes së kompanisë zbatuese dhe barrën afatgjatë që kjo hua do të krijojë për financat publike.
Projekti pritet të zbatohet nga kompania arabe “Presight”, ndërsa një tjetër element që ka ngjallur debate lidhet me faktin se financimi sigurohet përmes një kredie nga një fond arab dhe pagesa do t’i shkojë po një kompanie arabe, pa zhvillimin e një gare konkurruese, por nëpërmjet një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë.
Në mungesë të shpjegimeve të detajuara publike nga autoritetet, zgjerimi i vazhdueshëm i kostos së projektit “Smart City” mbetet një çështje që ngre pikëpyetje mbi transparencën, eficiencën financiare dhe ndikimin e tij afatgjatë në buxhetin e shtetit.


