Kosova në zgjedhje: 28 subjekte politike në garë për parlamentin e ri

Kosova voton sot për përbërjen e re të Kuvendit, me 28 subjekte politike që garojnë për vendet në parlament.

Qytetarët me të drejtë vote brenda dhe jashtë vendit, që arrijnë në mbi 2 milionë, do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Në këto zgjedhje, garojnë 1,280 kandidatë për postet e deputetëve. Ndër partitë kryesore në garë janë Lëvizja Vetëvendosje (VV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilat synojnë të fitojnë shumicën parlamentare për të formuar qeverinë e ardhshme.

Procesi zgjedhor ka nisur që në orët e para të mëngjesit me shpërndarjen e materialeve zgjedhore në qendrat e votimit. Janë gjithsej 941 qendra votimi, nga të cilat 903 janë për votim të rregullt me 2,533 vendvotime dhe 38 të tjera për votimin me kusht. Numri i votuesve brenda Kosovës është mbi 1.97 milionë.

Një ndryshim i rëndësishëm në këto zgjedhje është kohëzgjatja e heshtjes zgjedhore. Sipas rregullave të reja, ajo do të vlejë vetëm gjatë orëve të votimit, duke nisur në 07:00 dhe duke përfunduar në 19:00. Kjo është hera e parë që heshtja zgjedhore nuk nis një ditë më parë.

Ndërkohë, partitë politike kanë vendosur të garojnë pa koalicione parazgjedhore, por pas shpalljes së rezultateve priten negociata për krijimin e qeverisë së re, në varësi të konfigurimit parlamentar.

Këto zgjedhje shënojnë edhe ndryshime të tjera ligjore, të cilat ndikojnë si në votimin brenda vendit, ashtu edhe në procesin për diasporën. Tani, çdo votues ka të drejtë të zgjedhë deri në dhjetë kandidatë nga një subjekt politik, një ndryshim që synon të forcojë përfaqësimin.

Për shqiptarët jashtë Kosovës, procesi i votimit është lehtësuar. Përveç mundësisë për të dërguar fletëvotimet me postë, për herë të parë, ata mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në vendet ku ndodhen.

Pas mbylljes së votimit në mbrëmje, pritet që rezultatet paraprake të publikohen brenda orëve të para, duke përcaktuar fituesit dhe rrugën e re politike për Kosovën.

Ndaj Postimin: