Një numër i madh korrierësh që punojnë për platformën e shpërndarjes së ushqimit Wolt kanë protestuar mbrëmjen e së shtunës në rrugët e Tiranës, duke kundërshtuar uljen e tarifave dhe duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre.
Protestuesit kanë marshuar me motorët e tyre në disa segmente të kryeqytetit, duke përdorur boritë si formë reagimi publik. Ata pretendojnë se kompania u ka reduktuar pagesën për kilometër, çka sipas tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në të ardhurat mujore.
Korrierët shprehen se një pjesë e punonjësve janë përballur me presion dhe kërcënime për largim nga puna. Sipas tyre, disa persona janë hequr nga puna pasi është mësuar se do të merrnin pjesë në protestë, ndërsa të tjerë janë paralajmëruar të mos dalin kundër kompanisë.
Protesta u zhvillua në formë marshimi me motorë në rrugët e Tiranës, ndërsa deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga kompania lidhur me pretendimet e ngritura nga korrierët.