Policia e Korçës vijon kontrollet në të gjithë territorin e qarkut për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme të lojërave të fatit, duke konstatuar raste të reja shkeljesh.
Si rezultat i kontrolleve të fundit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë evidentuar tre raste të tjera të kësaj veprimtarie, për të cilat kanë proceduar penalisht tre shtetas. Bëhet fjalë për shtetasit V. P., J. T. dhe R. G., banues në qytetin e Korçës dhe në fshatin Drenovë.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalet ku ndodheshin këta shtetas, në celularët e tyre janë konstatuar faqe aktive për baste sportive, në kundërshtim me ligjin. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar tre aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa kontrollet për parandalimin dhe goditjen e lojërave të fatit të paligjshme vijojnë.