Kontrolli falas i gjirit, thirrje e Ramës për Tetorin Rozë

Kryeministri Edi Rama u bën apel grave dhe vajzave të shfrytëzojnë muajin tetor për mamografinë falas në poliklinika dhe spitalet rajonale të vendit.

Në kuadër të fushatës ndërkombëtare “Tetori Rozë”, e cila synon ndërgjegjësimin mbi parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjitha gratë dhe vajzat. Ai i fton ato të kryejnë një kontroll të domosdoshëm që mund t’u shpëtojë jetën.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka theksuar se mamografia mund të bëhet falas në rrjetin e poliklinikave dhe spitaleve rajonale në të gjithë Shqipërinë. Kjo nismë, sipas tij, duhet parë si një kujdes minimal që çdo grua t’i bëjë vetes.

“MIRËMËNGJES me thirrjen e përvitshme në çdo #TetorRozë për të gjitha gratë dhe vajzat që të marrin fare pak kohë për t’u kujdesur për shëndetin e tyre. Duke bërë mamografinë falas në poliklinika dhe spitale rajonale, ju uroj një muaj të mbarë,” ka shkruar Rama.

Kryeministri kujtoi se diagnostikimi i hershëm rrit ndjeshëm mundësinë e shërimit dhe se një ekzaminim i thjeshtë mund të bëjë dallimin mes jetës dhe rrezikut serioz.

Mesazhi i tij është pjesë e një fushate që përsëritet çdo vit, me synim për të sensibilizuar gratë mbi rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore. Në Shqipëri, si në shumë vende të tjera, kanceri i gjirit mbetet një nga sëmundjet më të përhapura tek femrat.

Fushata e Tetorit Rozë do të shtrihet gjatë gjithë muajit, duke përfshirë aktivitete sensibilizuese, nisma në terren dhe kontrolle falas për sa më shumë gra e vajza, për të shmangur vonesat fatale në diagnostikim.

Ndaj Postimin: