Kryeministri Edi Rama deklaroi se projektet për Shtëpinë e Re të Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore përfaqësojnë dy drejtime të reja zhvillimi për të ardhmen, duke krijuar kushte tërësisht të reja si për fëmijët jetimë, ashtu edhe për administratën shtetërore.
Deklarata u bë gjatë konkursit ndërkombëtar të organizuar për këto dy objekte, ku Rama uroi arkitektët pjesëmarrës dhe vlerësoi rolin e Korporatës Shqiptare të Investimeve në krijimin e hapësirave të reja publike përmes partneriteteve publik–privat.
Në fjalën e tij, kryeministri renditi disa projekte që ndodhen në fazë të avancuar ose janë gati të pajisen me leje zhvillimi. Sipas tij, falë këtij procesi pritet ndërtimi i një stadiumi të ri të standardeve europiane, Bibliotekës së re Kombëtare, një kompleksi të ri zyrash për një numër institucionesh shtetërore, si dhe Pallatit të Ri të Sportit, i cili ka marrë mbështetjen konsensuale të jurisë ndërkombëtare.
Rama theksoi se përmes këtij konkursi krijohen kushte të reja për fëmijët që janë në kujdesin e shtetit, ndërsa njëkohësisht ndërtohet një korpus i ri modern për inspektoratet shtetërore. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e drejtuesve institucionalë që kanë ndërtuar këto struktura nga e para dhe që tashmë janë gati për një fazë të re zhvillimi.
Në fund, kryeministri përgëzoi studiot arkitekturore shqiptare që marrin pjesë në konkurs si partnere të studiove ndërkombëtare, duke theksuar se Shqipëria është kthyer në një hapësirë referimi për arkitekturën bashkëkohore dhe një “universitet i hapur” për arkitektët e rinj vendas.
Sipas procedurës, secila studio po prezanton projektin e saj për godinën e re ku do të vendosen Shtëpia e Fëmijëve dhe Inspektorati i Përgjithshëm. Në bazë të projektit fitues, godina ekzistuese do të shembet dhe në vend të saj do të ndërtohet kompleksi i ri.