Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se i vetmi emër që gëzon konsensus automatik në shoqëri për postin e Presidentit është një anëtar i familjes Jashari.
“Deri tani të vetmit emra që kanë konsensus automatik në shoqërinë tonë, është një President nga familja e nderuar Jashari”, tha Konjufca, pa përmendur konkretisht ndonjë kandidat.
Nga familja Jashari ka reaguar Murat Jashari, jurist dhe profesor, i përfolur si kandidat i preferuar nga Vetëvendosje. Ai ka mohuar të ketë ambicie për postin e Presidentit.
Sipas tij, mbiemri Jashari përfaqëson një barrë të madhe dhe nuk duhet përdorur për poste publike. Ai theksoi se nuk e konsideron të drejtë morale apo profesionale që emri i familjes Jashari të shfrytëzohet për pozita politike.
Jashari u shpreh se nuk ka ambicie politike dhe se zgjedh të vazhdojë profesionin që ushtron aktualisht. Ai shtoi se familja Jashari i përket gjithë shqiptarëve dhe nuk duhet keqpërdorur për qëllime politike.