Kongresi Botëror i Ligjit 2027 në Tiranë, Zaçaj: Një gur kyç për rrugëtimin e Shqipërisë

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e akordimit të çmimit Premio Espanol Universal 2024 për avokatin dhe kryetarin e Shoqatës Botërore të Juristëve (WJA), Javier Cremades.

Ky çmim njihet për kontributin e tij të shquar në promovimin ndërkombëtar të Spanjës dhe komunitetit ligjor spanjoll. Javier Cremades është spanjolli i parë që drejton këtë shoqatë dhe ka luajtur një rol kyç në promovimin e shtetit të së drejtës në shkallë globale.

Në kuadër të ceremonisë, është zhvilluar një audiencë me Mbretin e Spanjës, Felipe VI, ku u nënshkrua një marrëveshje e rëndësishme për zhvillimin e Kongresit Botëror të Ligjit 2027 në Tiranë. Ky kongres do të mbledhë ekspertë nga e gjithë bota dhe do të shërbejë si një mundësi e shkëlqyer për shkëmbimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë.

Holta Zaçaj, gjatë fjalës së saj, e konsideroi këtë ngjarje si një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë, duke e cilësuar zhvillimin e Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë si një gur kyç në rrugëtimin e vendit drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe integrimit në strukturat ndërkombëtare. Ajo theksoi se ky kongres, së bashku me Kongresin e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane që do të zhvillohet gjithashtu në vitin 2027, do të shërbejnë si platforma për dialogun ndërkombëtar dhe promovimin e vlerave demokratike.

Zaçaj shprehu mirënjohjen e shtetit shqiptar për mundësinë që do të ofrohet për të mirëpritur këto dy ngjarje të rëndësishme për drejtësinë europiane dhe botërore. Ajo shtoi se ky është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, që do të konsolidojë vendin si një aktor kyç në fushën e drejtësisë dhe do të rrisë më tej reputacionin ndërkombëtar të tij.

Ky kongres do të jetë një mundësi për Shqipërinë për të zhvilluar më tej sistemin e saj ligjor dhe për të bashkëpunuar me aktorë të tjerë ndërkombëtarë për të promovuar standardet e drejtësisë dhe për të nxitur reforma të mëtejshme në këtë fushë. Të gjithë këto ngjarje do të shërbejnë për të rritur vlerësimin dhe kredibilitetin e Shqipërisë në nivel ndërkombëtar.

Ndaj Postimin: