Me 427 vota pro dhe vetëm një kundër, Kongresi miraton ligjin që detyron Departamentin e Drejtësisë të publikojë të gjitha dokumentet jo-sekrete mbi Jeffrey Epstein, ndërsa ligji i kalon përfirmim Presidentit Trump.
Kongresi amerikan ka miratuar me shumicë dërrmuese një projektligj që detyron Departamentin e Drejtësisë të publikojë çdo dokument të paklasifikuar që lidhet me Jeffrey Epstein dhe rrjetin e tij të abuzimeve. Në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve, ku u votua me rezultatin 427 pro dhe vetëm një votë kundër, disa të mbijetuara të abuzimeve të Epstein, të pranishme në tribunë, shpërthyen në lot dhe u përqafuan.
Rep. Clay Higgins ishte i vetmi ligjvënës që votoi kundër. Pak orë pas votimit, Senati e miratoi masën me konsensus të plotë, pa asnjë kundërshtim, duke i hapur rrugë dërgimit të projektligjit në Zyrën Ovale për nënshkrimin e Presidentit Donald Trump, i cili ka premtuar publikisht se do ta firmosë.
Ligji detyron prokurorin e përgjithshëm të publikojë brenda 30 ditëve të gjithë dokumentacionin jo të klasifikuar që lidhet me Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij Ghislaine Maxwell: dosje hetimore, komunikime, emaila të brendshëm, shënime, si dhe të dhëna mbi fluturime, udhëtime, persona dhe entitete të lidhura me rastin. Informacioni që identifikon viktimat ose cënon hetime aktive mund të redaktohet.
Projektligji u shty fuqishëm përpara nga dy deputetë të linjave të kundërta, Thomas Massie dhe Ro Khanna, të cilët detyruan votimin përmes një peticioni të rrallë parlamentar, përkundër hezitimit të udhëheqjes së Dhomës. Sipas tyre, votat rekord në të dyja dhomat tejkaluan çdo pritshmëri.
Gjatë një ceremonie përkujtimore me qirinj jashtë Kapitolit, të mbijetuarit e Epstein kujtuan aktivisten Virginia Giuffre, e cila humbi jetën në prill. Annie Farmer, një prej të mbijetuareve, tha mes lotëve se Giuffre “e frymëzoi këtë betejë dhe e shtyu drejt transparencës”.
Para votimit, Massie, Khanna dhe deputetja Marjorie Taylor Greene qëndruan krah më shumë se një duzine të mbijetuareve të Epstein, duke i bërë thirrje Senatit të vepronte shpejt. Khanna deklaroi se publikimi i dokumenteve do të ekspozojë rrjetin e fuqishëm të njerëzve që “mendonin se mund të blinin heshtjen dhe të përdhunonin vajzat amerikane pa pasoja”.
Ndërkohë, Kryetari i Dhomës, Mike Johnson, kërkoi ndryshime për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve, por përballë shumicës dërrmuese u detyrua të tërhiqej. Megjithatë, ai u shpreh i pakënaqur me procesin dhe e akuzoi Chuck Schumer se e kaloi projektligjin pa debat shtesë.
Presidenti Trump fillimisht kishte kundërshtuar nismën, por pas rritjes së mbështetjes në të dyja krahët politike dhe pas paralajmërimit për “dezertime masive të republikanëve”, ai ndryshoi qëndrim. Në një postim në Truth Social, Trump u kërkoi republikanëve ta votonin projektligjin dhe më pas deklaroi se do ta firmosë.
Të mbijetuara të tjera, përfshirë Jena-Lisa Jones, akuzuan Presidentin për politizim të çështjes. Jones, e cila ka votuar për Trump, tha: “Ju lutem, ndaleni këtë. Nuk ka të bëjë me ju. Tregoni dinjitet dhe kujdes për viktimat.”
Zyra e Shtëpisë së Bardhë u përgjigj duke akuzuar demokratët dhe mediat se “e kanë injoruar çështjen për vite”, ndërsa Trump po “siguron transparencën” me publikimin e dosjeve përmes hetimit të Komisionit të Mbikëqyrjes.
Departamenti i Drejtësisë tashmë i ka dorëzuar Kongresit dhjetëra mijëra dokumente, shumë prej të cilave janë bërë publike. Midis tyre ndodhen emaila të Epstein me Maxwell dhe gazetarin Michael Wolff, ku përmendet edhe Trump, por pa akuza konkrete.
Trump ka mohuar gjithmonë çdo lidhje me krimet e Epstein. Dyshja kishin frekuentuar të njëjtat rrethe në vitet ’80–’90, por Trump pretendon se i ka ndërprerë marrëdhëniet në fillim të viteve 2000 dhe e ka përjashtuar Epstein nga Mar-a-Lago.
Me miratimin e këtij projektligji, ligjvënësit e të dyja palëve besojnë se SHBA po i afrohet një momenti të rëndësishëm transparence, ku përfundojnë spekulimet dhe fillon, sipas tyre, “përballja morale” me një nga skandalet më të errëta të vendit.


