Ezaurimi i tokës për zgjerimin e varrezave në qytetin e Fierit ka krijuar një përplasje të fortë mes bashkisë dhe banorëve të fshatit Mbyet, të cilët preken nga shpronësimi i pronave të tyre.
Sipas familjeve që preken nga ky proces, janë 8 familje që kundërshtojnë aktin administrativ të bashkisë dhe kanë ngritur shqetësime për çmimin e ulët të shpronësimit. Ata thonë se sipërfaqet që po shpronësohen janë ullishte të mbjella me pemë mbi 30 vjeçare dhe jo drurë frutorë, siç është deklaruar në shkresat zyrtare.
Për më tepër, banorët akuzojnë se bashkia ka vendosur një çmim të papranueshëm për shpronësimin e këtyre tokave. Një dynym sipërfaqe po shpronësohet për 2.6 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që një rrënjë ulli vlerësohet me vetëm 110 mijë lekë të vjetra, një çmim që ata e konsiderojnë shumë të ulët dhe të paarsyeshëm.
Nga ana tjetër, banorët theksojnë se në varrezat aktuale ka hapësira bosh, por ato janë shitur nga bashkia për qytetarët që dëshirojnë të sigurojnë vende të rezervuara. Kjo i ka shqetësuar edhe më tepër, pasi ata pohojnë se çmimi për shitjen e varreve të reja është shumë herë më i lartë se ai që ofrohet për shpronësimin e tokës së tyre.
Në një deklaratë të mëtejshme, banorët shprehen se nuk janë kundër shpronësimit të tokave, por kërkojnë një negociatë për një çmim të arsyeshëm. Ata theksojnë se nuk janë pyetur për këtë proces dhe nuk janë vënë në dijeni për të, pavarësisht se këto prona janë burimi i tyre i vetëm i të ardhurave. Banorët kërkojnë që çmimi i shpronësimit të jetë në përputhje me vlerën reale të tokës dhe të pasurive që po humbasin.
Tensionet mes banorëve dhe autoriteteve janë rritur këtë mëngjes, kur policia bashkiake ka shkuar në zonë për të prerë ullinjtë, por ka hasur në kundërshtimin e banorëve. Përballë kësaj situate, ka ndërhyrë policia e shtetit, e cila ka shoqëruar tre prej banorëve të fshatit për t’i marrë në pyetje.
Drejtoria e Shërbimeve Publike pranë bashkisë Fier, përmes drejtoreshës Entela Kola, ka reaguar ndaj situatës, duke pohuar se po vazhdon të zbatojë projektin “Zgjerimi i varrezave publike, faza V, fshati Mbyet, njësia administrative Portëz”, i cili është miratuar në përputhje me një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM).