Konflikt i rikthyer pas dy vitesh përfundon me thikë në Korçë, 17-vjeçari plagos 37-vjeçarin dhe kapet pas disa minutash

Një përplasje e mbetur e pazgjidhur prej rreth dy vitesh ka shpërthyer sërish mbrëmjen e sotme në Korçë, duke përfunduar me përdorimin e thikës dhe një person të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në lagjen nr. 4 të qytetit.

Sipas të dhënave paraprake, autor i dyshuar është një 17-vjeçar, ndërsa i lënduar ka mbetur 37-vjeçari Bernard Qelemeni. Ky i fundit ka pësuar dëmtime në zonën e krahut nga mjeti prerës dhe është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore. Burime zyrtare konfirmojnë se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i konfliktit lidhet me një ngjarje të ndodhur rreth dy vite më parë, kur 37-vjeçari dyshohet se kishte vjedhur banesën e familjes së të miturit. Të dy janë përballur rastësisht në lokal, ku fillimisht ka pasur debat verbal dhe më pas përplasje fizike.

Sipas policisë, 37-vjeçari dyshohet se ka goditur i pari të miturin, ndërsa ky i fundit ka reaguar duke nxjerrë thikën dhe duke e plagosur. Pas incidentit, 17-vjeçari është larguar nga vendngjarja, por është kapur nga shërbimet e policisë vetëm pak minuta më vonë.

Mësohet se i plagosuri kishte mbërritur në Shqipëri pak ditë më parë, pasi jetonte dhe punonte në Greqi. Ai rezulton gjithashtu person i njohur për policinë e juglindjes, me precedentë penalë në fushën e vjedhjeve.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, sqarimin e dinamikës dhe përcaktimin e përgjegjësive penale për të dyja palët e përfshira.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033