Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi të hënën shumicën e kërkesave për shtesa në buxhetin e vitit 2025 për institucionet e drejtësisë dhe ato të tjera të pavarura.
Po ashtu, u propozua një zgjidhje për procesin tranzitor të kalimit të kompetencave të vetingut pas përfundimit të mandatit kushtetues të disa institucioneve në dhjetor 2024.
“Kemi arritur një rakordim mes institucioneve të pavarura dhe Ministrisë së Financave për shtesat dhe ndryshimet në projektligjin e buxhetit,” deklaroi kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka. Ajo shtoi se prioritetet u vendosën duke u bazuar në nevojat urgjente të këtyre institucioneve.
Bushka theksoi se shtesat për buxhetin e vitit të ardhshëm nuk përfshijnë kërkesat për paga të prapambetura që lidhen me statusin e magjistratit. Këto kërkesa, sipas saj, do të trajtohen brenda buxhetit të vitit 2024 përmes rialokimeve të fondeve ekzistuese.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të tranzicionit të vetingut. Për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Komisionerët Publikë, të cilëve u përfundon mandati kushtetues në dhjetor 2024, u parashikua një fond për mbulimin e pagave të stafit administrativ për një periudhë 6-mujore. Gjatë kësaj periudhe tranzitore, kompetencat e këtyre institucioneve do të kalojnë te Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Për të lehtësuar këtë kalim, Komisioni miratoi kërkesa për shtesë buxhetore për SPAK dhe KLGJ. Për SPAK-un u akorduan 100 milionë lekë për shpenzime personeli dhe sigurime shoqërore, si dhe një fond tjetër prej 100 milionë lekësh për ndërtimin dhe rikonstruksionin e ambienteve të reja.
KLGJ, nga ana tjetër, përfitoi një shtesë prej 500.4 milionë lekësh për të mbuluar shpenzimet për paga dhe sigurime për 133 punonjës të rinj, si dhe për projektin e dixhitalizimit dhe investimet në gjykata. Megjithatë, kjo shumë ishte dukshëm më e ulët se kërkesa prej 3.2 miliardë lekësh e paraqitur nga kreu i ri i KLGJ-së, Ilir Rusi.
Komisioni miratoi gjithashtu një shtesë prej 24 milionë lekësh për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të dedikuar për sigurinë kibernetike, një fushë që u konsiderua prioritet edhe për institucionet e tjera të drejtësisë.
Të gjitha vendimet për shtesa në buxhetet e këtyre institucioneve do të kalojnë për miratim në Komisionin e Ekonomisë, përpara se të paraqiten në seancë plenare për votim. Këto ndryshime janë pjesë e përpjekjeve për të forcuar institucionet e drejtësisë dhe për të siguruar një tranzicion të qetë të proceseve të vetingut në kuadër të reformës në drejtësi.