Komisioni i Ligjeve dhe Administratës Publike ka miratuar aktin normativ të dhjetorit 2025 që rishikon buxhetin e shtetit për vitin 2025, duke i hapur rrugë një sërë rialokimesh fondesh për pensionet, bujqësinë, shëndetësinë dhe pushtetin vendor.
Gjatë prezantimit në komision, ministri i Financave, Petrit Malaj, e cilësoi aktin normativ nr. 11 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2024 ‘Për buxhetin e vitit 2025’” si një ndërhyrje të domosdoshme për mbylljen e vitit buxhetor dhe ruajtjen e ekuilibrave fiskalë.
Sipas rishikimit të buxhetit, qeveria ka vendosur të akordojë një shpërblim prej 15 mijë lekësh për familjet në ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe të transferojë 15 miliardë lekë në skemën e pensioneve për financimin e reformës së re.
Ministri Malaj sqaroi se akti normativ parashikon transferimin e të gjitha fondeve të papërdorura nga ministritë dhe institucionet buxhetore drejt një llogarie të posaçme pranë Bankës së Shqipërisë, të dedikuar për skemën e pensioneve. Sipas vlerësimeve paraprake të Ministrisë së Financave, shuma minimale që pritet të transferohet në këtë llogari arrin në rreth 150 milionë euro, të cilat do të përdoren më tej me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në kuadër të të njëjtit akt normativ, janë alokuar edhe 2 miliardë lekë shtesë për bujqësinë, me qëllim shlyerjen e pagesave për fermerët përfitues nga skemat kombëtare të mbështetjes. Sipas ministrit, fondi total për mbështetjen e fermerëve në vitin 2025 arrin në 6.4 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë në vitin 2024, ndërsa niveli i realizimit të pagesave ka arritur në mbi 90 për qind dhe pritet të përfundojë plotësisht deri në fund të janarit.
Shëndetësia përfiton gjithashtu një shtesë prej 1.8 miliardë lekësh për furnizimin e spitaleve me medikamente, ndërsa 1.2 miliardë lekë janë parashikuar për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të bashkive.
Në komision, ministri Malaj prezantoi edhe disa të dhëna paraprake për performancën ekonomike të vitit 2025. Sipas tij, rritja ekonomike në nëntëmujorin e vitit ka qenë 3.7 për qind, e mbështetur kryesisht nga konsumi dhe investimet, ndërsa për të gjithë vitin parashikohet një rritje prej 3.9 për qind. Borxhi publik pritet të zbresë nën 54 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2025, niveli më i ulët që nga viti 2010.
Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për vitin 2025 vlerësohen paraprakisht në 668 miliardë lekë, rreth 55.8 miliardë lekë më shumë se në vitin 2024, ose afërsisht 560 milionë euro shtesë në krahasim me një vit më parë.