Komisioni Europian prezantoi në Bruksel planin e ri të veprimit për të luftuar trafikun e drogës, duke paralajmëruar masa shumë më të rrepta ndaj rrjeteve kriminale që po e mbushin kontinentin me substanca të rrezikshme dhe me çmim të ulët.
Komisioneri për çështjet e brendshme dhe migracionin, Magnus Brunner, deklaroi se Bashkimi Europian nuk do të tolerojë grupet kriminale që furnizojnë rrugët evropiane me droga, rrisin krimin e dhunshëm dhe kërcënojnë sigurinë publike.
Sipas planit, një prioritet i veçantë do t i jepet bashkëpunimit mes doganave dhe kompanive private që merren me dërgesat e pakove, për të identifikuar më shpejt ngarkesat e dyshuara. BE po zgjeron gjithashtu bashkëpunimin ndërkombëtar për të forcuar standardet globale të sigurisë në luftën kundër narkotikëve.
Plani mbështetet te tre agjenci kryesore të BE
• Europol do të rrisë mbështetjen operative për vendet anëtare, duke monitoruar në mënyrë sistematike tregjet dixhitale të drogës dhe duke koordinuar hetime ndërkufitare.
• Agjencia Europiane për Drogën EUDA do të identifikojë lëndë të reja psikoaktive, të lëshojë alarme të shpejta dhe të vlerësojë rreziqet e opioideve sintetike shumë të fuqishme.
• Frontex do të përdorë mjete të avancuara mbikëqyrjeje, përfshirë satelitë dhe dronë me rezolucion të lartë, për të monitoruar kufijtë e jashtëm dhe për të parandaluar trafikimin ndërkufitar të drogës.
Sipas të dhënave të EUDA, kokaina mbetet droga më e përhapur në tregun e BE. Vetëm në vitin 2023 janë sekuestruar 419 ton, ndërsa rrugët e trafikimit janë zgjeruar edhe nëpër porte më të vegjël e më të cenueshëm. Përdorimi i saj është rritur sidomos te të rinjtë, me rreth 2.7 milionë persona të moshës 15 deri 34 vjeç që raportuan përdorim gjatë vitit të kaluar.
Drogat sintetike mbeten sfida tjetër madhore
Çdo vit në vendet e BE çmontohen rreth 500 laboratorë prodhimi të drogave sintetike. Krimi i organizuar vijon të kontrabandojë kimikate të posaçme të përdorura si prekursorë për prodhimin e drogave, shpesh pa asnjë përdorim të ligjshëm.
Komisioni theksoi se plani synon të godasë kapacitetet logistike të karteleve europiane të drogës, duke përdorur teknologji të avancuar dhe bashkëpunim të ngushtë mes agjencive të sigurisë.


