Kolo Muani ribën Juven, plani i “Zonjës së Vjetër” për të mbajtur francezin në Torino

Kolo Muani ka arritur të pushtojë zemrat e tifozëve të Juventusit me paraqitjet e tij të shkëlqyera që nga momenti i mbërritjes në Torino.

Me gola, assiste dhe shpërthime të papërmbajtshme në zonë, sulmuesi francez ka bërë atë që Dusan Vlahovic nuk kishte arritur ta bëjë deri tani këtë sezon. Në vetëm pak javë, Kolo Muani ka realizuar pesë gola dhe ka dhuruar një asist, duke lënë pas me tre gola më shumë Dusan Vlahovic, që është ende në kërkim të formës së tij ideale.

Mbi të gjitha, Kolo Muani ka shfaqur një ndikim të jashtëzakonshëm në skuadër, duke transformuar “Zonjën e Vjetër”. Impakti i tij është bërë i dukshëm edhe në rezultatet e skuadrës, pasi Juventusi ka arritur të fitojë katër herë radhazi, përfshirë një fitore të rëndësishme ndaj Interit. Kjo ka rritur edhe më shumë entuziazmin e tifozëve dhe drejtorëve të klubit.

Sipas Tuttosport, drejtuesit e Juventusit janë shumë të kënaqur me paraqitjet e Kolo Muani dhe janë duke punuar për të siguruar që francezi të mbetet në Torino për shumë vite të tjera. Sipas gazetës torineze, gjasat janë të larta që Juventusi të negociojë një tjetër huazim të sulmuesit me PSG-në, për sezonin 2025/2026, me mundësinë e blerjes së tij për një shumë rreth 50 milionë euro.

Në këto negociata, Juventus ka një avantazh të qartë: Kolo Muani nuk bën pjesë në planet e trajnerit të PSG-së, Luis Enrique. Ky fakt e bën mundësinë e një transferimi të përhershëm të francezit në Torino akoma më të mundshme. Megjithatë, një lëvizje e tillë do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e Dusan Vlahovic, i cili mund të largohej nga Juventusi nëse Kolo Muani do të mbetej.

Nëse paraqitjet e Kolo Muani do të vazhdojnë në këtë nivel të lartë, është gjithashtu e mundur që Juventus të vendosë të blejë kartonin e tij përfundimisht në fund të këtij sezoni, duke përdorur të ardhurat nga një e mundshme shitje e Dusan Vlahovic. Ky do të ishte një tjetër hap drejt rikthimit të “Zonjës së Vjetër” në majat e futbollit italian dhe evropian.

Ndaj Postimin: