Juventusi ka gjetur sërish rrugën e suksesit falë formës së shkëlqyer të Kolo Muanit.
Sulmuesi francez, i afruar në merkaton e janarit, ka shpërthyer në tri ndeshjet e fundit, duke realizuar pesë gola dhe duke tejkaluar edhe emra legjendarë si Roberto Baggio. Me golat e tij, Juventusi siguroi një fitore të rëndësishme 2-1 në transfertë ndaj Como-s, në një përballje ku vuajtën ndjeshëm përballë ekipit të drejtuar nga Cesc Fabregas.
Como zhvilloi një lojë të hapur dhe sulmuese, duke kërcënuar disa herë portën e Di Gregorios, i cili ishte në një mbrëmje fantastike. Në momentin kur vendasit po ushtronin më shumë presion, Kolo Muani zhbllokoi sfidën me një goditje të fuqishme brenda zonës në minutën e 35-të, duke kaluar bardhezinjtë në avantazh. Pavarësisht golit të pësuar, Como nuk u tërhoq dhe arriti të barazonte në sekondat e fundit të pjesës së parë, falë një goditjeje me kokë nga Diao.
Në fraksionin e dytë, Como vijoi të kërkonte avantazhin, duke krijuar disa mundësi të rrezikshme. Megjithatë, Di Gregorio me një pritje vendimtare mbajti në lojë Juven. Skuadra e Thiago Mottas tregoi shenja lodhjeje, duke humbur kontrollin e lojës dhe duke krijuar shumë pak raste në sulm.
Megjithatë, në minutat e fundit, gjyqtari akordoi një penallti në favor të Juventusit pas një faulli ndaj Gatti-t në zonë. Në minutën e 87-të, Kolo Muani nuk gaboi nga pika e bardhë, duke vulosur fitoren 2-1 dhe duke i dhënë ekipit të tij tre pikë jetike në garën për zonën Champions.
Fitorja e Juventusit ndaj Como-s mori vëmendjen e mediave italiane, të cilat theksuan ndikimin e madh të sulmuesit francez. “Kolo Mania” ishte titulli kryesor në faqet sportive, duke nënvizuar momentin e artë të Kolo Muanit dhe ndikimin e tij vendimtar te bardhezinjtë.
Me këtë fitore, Juventusi konsolidon pozitat e tij në renditje dhe dërgon një mesazh të qartë për rivalët e drejtpërdrejtë. Forma e Kolo Muanit dhe kontributi i tij në fazën ofensive po bëhen gjithnjë e më thelbësore për skuadrën e Mottas, e cila synon të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.