Kodi i ri Penal kufizon median dhe kritikat ndaj drejtësisë, parashikon dënime deri në burg

Drafti i ri parashikon burg për publikimin e të dhënave hetimore dhe komentet që vlerësohen si presion ndaj gjykatave

Qeveria ka ndërmarrë një ndryshim të thellë të Kodit Penal, duke përfshirë një sërë nenesh të reja që, përtej objektivit të reformës në drejtësi, kanë ngritur shqetësime serioze për kufizimin e lirisë së shprehjes dhe të medias. Drafti i propozuar, në disa pjesë, shihet si një tentativë për të mbyllur gojën e kritikëve dhe gazetarëve investigativë.

Një ndër nenet që ka ngjallur më shumë debat është neni 536, i cili lidhet me “mbrojtjen e pavarësisë së drejtësisë”. Ky nen parashikon se çdo koment apo publikim që mund të perceptohet si presion ndaj vendimmarrjes së gjykatave, do të ndëshkohet me gjobë ose deri në tre vjet burgim. Në praktikë, kjo dispozitë mund të shërbejë për të ndaluar çdo kritikë ndaj vendimeve gjyqësore.

Gjithashtu, janë përfshirë dispozita që ndalojnë publikimin e materialeve hetimore, të cilat deri më tani përdoreshin gjerësisht nga media për informimin e publikut. Drafti i ri përdor për herë të parë termin “publikim” në mënyrë specifike, duke përfshirë edhe personat juridikë në ndëshkimet që shkojnë deri në katër vjet burg ose gjoba të mëdha.

Neni 517 synon të ndëshkojë çdo person që zbulon ose shpërndan informacione sekrete nga hetimet, përfshirë edhe gazetarët që i marrin këto të dhëna nga burime zyrtare. Ndëshkimi rritet nëse zbulimi vjen nga persona që kanë detyrime ligjore për ruajtjen e sekretit, si prokurorë, gjyqtarë apo oficerë policie.

Po ashtu, në nenin 516 parashikohet burg nga dy deri në gjashtë vjet për ata që zbulojnë të dhëna mbi bashkëpunëtorët e drejtësisë, dëshmitarët apo vendndodhjen e tyre. Ky dënim shtohet edhe më shumë nëse nga zbulimi rrjedhin pasoja të rënda, si plagosje apo rrezik për jetën.

Një tjetër nen i debatueshëm është ai që ndëshkon dhënien e informacioneve që lidhen me operacione policore apo hetime në zhvillim. Çdo zyrtar që komunikon të dhëna të tilla rrezikon dënim deri në pesë vjet burg, dhe nëse informacioni përdoret nga grupe të strukturuara kriminale, dënimi rritet deri në një të dytën.

Këto ndryshime kanë shkaktuar reagime të ashpra nga shoqëria civile dhe komuniteti i gazetarëve, të cilët paralajmërojnë për një kthesë autoritare të sistemit ligjor. Sipas tyre, ligji synon të ndalojë kontrollin dhe transparencën publike mbi vendimmarrjen gjyqësore dhe hetimet penale. Ndërsa qeveria e justifikon me nevojën për mbrojtjen e pavarësisë së drejtësisë dhe integritetin e procedurave, kritikët e shohin si një përpjekje për të frenuar fjalën e lirë.

Ndaj Postimin: