Shqipëria prezanton një Kod të ri Penal me ndryshime që mbrojnë të miturit dhe adresojnë keqpërdorimet, kafshët dhe krimet mjedisore në mënyrë më të ashpër.
Shqipëria po përgatitet të aplikojë një Kod të ri Penal, i pari i hartuar nga zero pas viteve ’90. Ky draft sjell risi që synojnë përmirësimin e kuadrit ligjor duke u përshtatur me sfidat e sotme sociale, teknologjike dhe ligjore. Ndryshimet më të rëndësishme përfshijnë mbrojtjen e zgjeruar të të miturve, ashpërsimin e dënimeve për keqpërdorimin e barnave, trajtimin e kafshëve, krimet mjedisore dhe parandalimin e bigamisë.
Një element i veçantë i Kodit të ri është zgjerimi i moshës së përkufizimit të “të miturit”. Tani çdo person deri në 21 vjeç do të trajtohet si i mitur, duke u dhënë kështu mbrojtje shtesë të rinjve. Sistemi penal do të përqendrohet më shumë në rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre, duke shmangur dënimin me burg si masë të parë. Gjithashtu, janë vendosur rregulla të reja për përgjegjësinë e kujdestarëve ndaj të miturve.
Në lidhje me mbrojtjen e kafshëve, për herë të parë në legjislacionin shqiptar, një kapitull i veçantë parashikon masa të forta për braktisjen dhe dhunën ndaj tyre. Dhuna, përfshirë edhe akte seksuale ndaj kafshëve, dënohet me deri në tre vjet burg. Pronari që nuk kujdeset për kafshën dhe shkakton dëme do të ndëshkohet me gjobë ose burg deri në gjashtë muaj.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është në fushën e sigurisë shëndetësore dhe barnave. Prodhimi, importi ose tregtimi i barnave të skaduara, të paautorizuara apo të rrezikshme për shëndetin do të dënohet me burg deri në tetë vjet. Mashtrimi me përbërjen, dokumentacionin apo reklamat e rreme të barnave sjellin dënime prej dy deri tetë vjet burg. Nëse këto reklama i drejtohen fëmijëve apo grupeve të cenueshme, dënimet mund të arrijnë deri në katër vjet burg ose gjobë.
Kodi i ri penal trajton edhe përgjegjësitë në rast epidemish. Shkaktimi i qëllimshëm i një epidemie, përmes viruseve apo baktereve, dënohet me burg nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm. Pakujdesia në këto situata sjell dënime nga 10 deri në 20 vjet burg. Zyrtarët që fshehin sëmundje infektive përballen me masa administrative dhe gjoba, ndërsa shkelja e masave të karantinës dënohet deri në tre vjet burg.
Një vepër e re penale që kodifikon edhe bigaminë është përfshirë në këtë draft. Gjithashtu, janë përfshirë krime të reja si terrorizmi kibernetik, trafikimi i armëve, përfshirë armët e printuara me 3D, evazioni fiskal i sofistikuar dhe krimet kundër mjedisit.
Ky projektligj është hartuar në përputhje me standardet evropiane dhe realitetet bashkëkohore shqiptare. Ai pritet të kalojë në Parlament dhe do të sjellë ndryshime të thella në mënyrën se si funksionon drejtësia penale në Shqipëri.


