Armando Broja pritet të largohet nga Chelsea gjatë kësaj merkatoje vere, ndërsa dy klube gjermane kanë nisur të kërkojnë informacion për sulmuesin shqiptar.
E ardhmja e Armando Brojës në Premier League është drejt përfundimit, pasi Chelsea ka vendosur të shesë përfundimisht kartonin e tij gjatë kësaj merkatoje verore. Sipas raportimeve të fundit, lojtari kuqezi është i gatshëm të largohet, duke qenë se nuk ka hapësira në sulmin e skuadrës londineze.
Pas spekulimeve që e lidhnin me Holandën, konkretisht me interesimin e Ajax-it, dy skuadra nga Bundesliga kanë nisur të shfaqin interes serioz për Brojën. Sipas burimeve të “The Athletic”, bëhet fjalë për Leipzig dhe Stuttgart.
Te skuadra e Stuttgart-it, Broja shihet si një zëvendësues i mundshëm për Nick Woltemade, i cili mund të transferohet te Bayern Munich. Kërkimi për një sulmues të ri ka bërë që drejtuesit gjermanë të analizojnë me kujdes profilin e Brojës.
Nga ana tjetër, Leipzig mund të hyjë në garë për sulmuesin shqiptar nëse Benjamin Sesko largohet gjatë verës. Broja shihet si një alternativë premtuese për të mbushur boshllëkun në repartin ofensiv.
Ndërkohë, vetë Chelsea është i vendosur që të përfitojë financiarisht nga shitja e kartonit të lojtarit, pasi nuk ka në plan ta mbajë më pjesë të skuadrës. Klubi është i qartë në qëllimin për të reduktuar numrin e lojtarëve në ofensivë.
Me rritjen e interesit nga Bundesliga, e ardhmja e Brojës mund të marrë një drejtim të ri, larg Anglisë, në një kampionat ku talenti i tij mund të shfaqet me më shumë vazhdimësi dhe besim.