KLSH zbulon pagesa të dyfishta dhe shkelje të rënda në shërbimin e hemodializës me koncesionin e kompanisë Dia Vita

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje serioze në shërbimin e hemodializës të dhënë me koncesion në pesë qendra në Shkodër, Vlorë, Lezhë, Elbasan dhe Korçë. Shërbimi administrohet nga kompania Dia Vita, në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu, dhe sipas auditit janë kryer pagesa edhe për seanca që nuk janë ofruar realisht.

Sipas raportit të KLSH, një pacient që më parë kryente dializë në qendrën koncesionare të Lezhës, kishte ndryshuar vendbanim dhe vijoi trajtimin në një spital jo publik të kontraktuar nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor. Por pavarësisht kësaj, Fondi ka vijuar të paguajë edhe qendrën e Lezhës, duke krijuar pagesa të dyfishta për të njëjtin pacient.

Auditimi ka konstatuar se raportimet e koncesionarit për numrin e seancave janë bërë mbi bazën e projeksioneve dhe jo të seancave reale të kryera. Kjo ka sjellë përfitime financiare të pajustifikuara nga buxheti i shtetit.

KLSH evidenton gjithashtu mungesa të theksuara në standardet e shërbimit. Në qendrat e hemodializës nuk ka mjek nefrolog me kohë të plotë, por vetëm me kohë të pjesshme, ndonëse pacientët renalë kërkojnë ndjekje të vazhdueshme. Po ashtu mungon edhe dietologu, i domosdoshëm për përcaktimin e dietës së posaçme që duhet të ndjekin pacientët në dializë.

Një gjetje tjetër e rëndë është refuzimi i pacientëve me insuficiencë renale akute, të cilët kanë nevojë për dializë të menjëhershme. Në vend që të trajtohen, ata dërgohen fillimisht në shërbimin e nefrologjisë në QSUT, duke shkaktuar vonesa të rrezikshme në situata emergjente.

Koncesioni i hemodializës, me vlerë fillestare 86 milion dollar për një periudhë 10 vjeçare, parashikon që në katër vitet e fundit kompania të investojë në aparatura të reja që më pas i kalojnë spitaleve publike. Por sipas auditit, këto investime nuk kanë nisur ende, ndonëse kontrata përfundon në mars 2026.

KLSH raporton se qendrat koncesionare nuk janë monitoruar për kostot dhe cilësinë e shërbimit. Me pak muaj të mbetur nga përfundimi i kontratës, ende nuk ekziston një raport zyrtar mbi efektivitetin dhe kosto eficensën e këtij koncesioni.

Raporti nënvizon se mungesa e kontrollit dhe mbikëqyrjes ka lejuar krijimin e praktikave abuzive, duke rënduar buxhetin e shtetit dhe duke cenuar cilësinë e shërbimit për pacientët me sëmundje të rënda renale.

Ndaj Postimin: