Klevis Balliu: Policia të merret me kriminelët, jo me qytetarët protestues

Rruga tek Pallati me Shigjeta vijon të mbetet e bllokuar, ndërsa përpjekjet e shoferëve për të kaluar janë ndaluar nga policia.

Protesta, e nisur nga qytetarët, ka tërhequr vëmendje të gjerë dhe ka nxitur debate për veprimet e autoriteteve dhe të drejtën për të protestuar.

Në një deklaratë për A2 CNN, ish-deputeti Klevis Balliu akuzoi policinë për fokusin e saj ndaj protestuesve, ndërsa sipas tij, bandat kriminale vazhdojnë të jenë të pakontrolluara. “I bëj thirrje policisë që të merret me bandat kriminale dhe sigurinë e fëmijëve në shkolla, jo me qytetarët protestues,” u shpreh Balliu.

Ai theksoi se protesta do të vazhdojë për aq kohë sa qytetarët e shohin të arsyeshme dhe vlerësoi pjesëmarrjen e madhe të tyre. “Falënderoj çdo protestues. Është shumë e vështirë të përballesh në një situatë ku ndodhet Shqipëria, ku ligji dhe kushtetuta nuk kanë rëndësi. Protesta është një e drejtë kushtetuese dhe policia është njoftuar për këtë aktivitet,” deklaroi ai.

Balliu hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj policisë dhe institucioneve për ndërhyrjen ndaj protestuesve, duke e krahasuar këtë veprim me raste kur rrugët bllokohen për aktivitete të tjera. “Rrugën e bllokojnë për ditën pa makina apo për maratonën. Sheshi ‘Nënë Tereza’ është bllokuar për një festë të Veliajt. Por të bllokosh një rrugë për të mbrojtur ligjin, shtetin dhe fëmijët është veprim penal? Ndërkohë, ta bllokosh për të vjedhur para nuk është?” pyeti Balliu retorikisht.

Ai ngriti shqetësimin për situatën kriminale në vend, duke akuzuar qeverinë se po lejon bandat të veprojnë të pashqetësuara. “Nëse kaq shumë policë do të ishin në Shkodër, Lezhë, Elbasan apo Durrës, nuk do të kishim këtë situatë me bandat. Falë pushtetit të Ramës, bandat bëjnë qejf, ndërsa qytetarët protestues përballen me dhunë,” tha ai.

Balliu gjithashtu përmendi rastin tragjik të një 14-vjeçari që humbi jetën së fundmi, duke kritikuar mungesën e përgjegjësisë nga autoritetet. “Ka humbur jetën një 14-vjeçar dhe këtu nuk mban përgjegjësi askush. Një polici e tërë i turret qytetarëve, ndërkohë që bandat bëjnë ç’të duan,” deklaroi ai.

Ndërkohë, ende nuk është marrë një vendim për t’u bashkuar me protestat në zona të tjera të kryeqytetit. Balliu konfirmoi mbështetjen e tij dhe të protestuesve për vijimin e veprimeve të mosbindjes civile. “Ajo që garantojmë ne është mbështetja ndaj qytetarëve dhe dua t’i falënderoj shumë për këtë mbështetje,” tha ai.

Për qytetarët që po protestojnë, çështja shkon përtej një rruge të bllokuar. Ata po kërkojnë drejtësi dhe vëmendje ndaj problemeve më të thella që, sipas tyre, kanë marrë përmasa kritike në shoqëri. Ndërsa tensionet mbeten të larta, mbetet për t’u parë sesi autoritetet do të reagojnë ndaj presionit të qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera