Klajdi Merkaj mbetet në burg, akuzohet për pastrim parash të kokainës së vëllezërve Çopja

Gjykata e Posaçme ka vendosur që Klajdi Merkaj të vazhdojë të qëndrojë në burg, duke rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësim të masës së sigurimit.

Merkaj, i cili akuzohet për pastrimin e parave të kokainës së vëllezërve Çopja, nuk ka mundur të sigurojë lirinë, pasi gjykata ka vendosur që të mbetet i arrestuar deri në përfundimin e hetimeve.

Lajmi është konfirmuar nga gazetarja Klodiana Lala, sipas të cilës, Gjykata e Posaçme ka shqyrtuar kërkesën e 35-vjeçarit Merkaj për zëvendësimin e masës së sigurisë. Kërkesa e tij, e paraqitur më 10 janar të vitit 2025, është refuzuar pas një gjykimi të plotë nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Bib Ndreca.

Në përfundim të seancës, gjykata ka vendosur të vazhdojë masën e sigurisë “arrest në burg”, e caktuar nga vendimi i datës 29 korrik 2024. Ky vendim është bazuar në nenet 228, 229, 230 dhe 238 të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa është shprehur se shpenzimet gjyqësore do t’i ngarkohen kërkuesit, Klajdi Merkaj.

Gjykata e Posaçme ka njoftuar gjithashtu se kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda pesë ditëve, duke ofruar mundësinë që çështja të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.

Klajdi Merkaj u ekstradua nga Italia në muajin nëntor të vitit 2024, pasi ndaj tij ishte caktuar masa “arrest në burg” për veprën penale të pastrimit të parave të përfituara nga aktivitetet kriminale, kryer në bashkëpunim. Hetimet nga SPAK kanë hedhur dritë mbi lidhjet e Merkaj me vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rrjetin e pastrimit të parave nga kokaina.

Merkaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ishte arrestuar më 16 tetor në Romë, ku u kap nga autoritetet italiane dhe u ekstradua drejt Shqipërisë për t’u përballur me akuzat. Ai njihet si mik i ngushtë i vëllezërve Çopja, të cilët janë nën hetim për aktivitetet e tyre kriminale në fushën e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Hetimet e mëtejshme pritet të zbardhin më shumë detaje për rolin e Klajdi Merkajt në këtë skemë kriminale dhe për përfshirjen e tij në pastrimin e të ardhurave të paligjshme.

Ndaj Postimin: