Nga: Ndriçim Gjoshi
Jeta e tij nisi si oficer policie, sot është jurist dhe pedagog i së drejtës penale – por edhe poet në librat e tij poetikë.
Një profil i veçantë që bashkon ligjin me ndjeshmërinë. Poezia e Memës është pasioni që e shoqëron prej vitesh; poezia e tij e parë lindi në bankat e gjimnazit dhe titullohej “Molla e ndaluar”. Që nga ajo ditë, poezia është bërë pjesë e pandarë e jetës së poetit.
Mema është një nga figurat më emblematike që ecën mes jetës dhe vargut.
Në këtë intervistë sjellim një zë të veçantë të poezisë shqiptare – një autor që vjen nga një botë disipline, por që në shpirt është rebel i ndjeshmërisë. Ai jeton ndërmjet realitetit të ftohtë të profesionit dhe zjarrit të brendshëm që vetëm poezia mund ta shprehë. Një poet që nuk shkruan për t’u dukur poet, por sepse është i detyruar të shkruajë nga diçka më e thellë se vetë fjala.
Autori është një zë në poezinë shqipe që jeton në një profesion ku fjala është e rreptë, por në vargjet e tij ajo bëhet shpëtim dhe dritë.
Poezitë e tij ndërthuren me ndjeshmërinë intime, reflektime filozofike dhe ngarkesë emocionale, të ushqyera nga përvoja jetësore dhe frymëzimi nga poetët e mëdhenj shqiptarë dhe botërorë.