Kirurgu Andrea Formiga nën hetim për vdekjen e biznesmenit italian pas ndërhyrjes në Tiranë

Andrea Formiga është kirurgu italian nën hetim nga Prokuroria e Padovës, i cili kreu ndërhyrjen kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut ndaj sipërmarrësit italian që humbi jetën pas komplikacioneve të rënda shëndetësore në Shqipëri.

Pacienti iu nënshtrua operacionit në një klinikë private në Tiranë, ku pas ndërhyrjes pësoi arrest kardiak. Ai u transportua për ndihmë të specializuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por ndërroi jetë.

Andrea Formiga është një kirurg italian që prej disa vitesh bashkëpunon me qendrën shëndetësore “Trita Hospital” në Shqipëri, e cila operon gjithashtu edhe klinikën estetike “DermoLife”. Sipas të dhënave publike, ai ushtron aktivitet profesional edhe në disa rajone të Italisë.

Në materialet promovuese të publikuara nga vetë institucionet shëndetësore, Formiga përshkruhet si kirurg me mbi 30 vite përvojë në profesion, i angazhuar kryesisht në fushën e kirurgjisë bariatrike. Ai udhëtonte në Tiranë një ose dy herë në muaj, ku kryente ndërhyrje për trajtimin e obezitetit, si dhe procedura të tjera endoskopike.

Në përshkrimet zyrtare të qendrës shëndetësore ku ushtronte aktivitetin, Formiga prezantohet si Kirurg i Përgjithshëm dhe Drejtor i Qendrës Ndërdisiplinore Bariatrike në Milano. Pas diplomimit në Mjekësi dhe Kirurgji në vitin 1996 dhe specializimit në Kirurgji të Përgjithshme në vitin 2002, ai ka ushtruar aktivitet profesional në disa klinika dhe spitale private në Itali.

Sipas të dhënave të publikuara, nga viti 2008 e në vazhdim, ai ka realizuar qindra procedura bariatrike, duke u angazhuar edhe në zhvillimin e teknikave endoskopike minimalisht invazive për trajtimin e obezitetit.

Hetimet nga autoritetet italiane vijojnë për të përcaktuar nëse janë respektuar protokollet mjekësore dhe për të sqaruar shkaqet e vdekjes së pacientit pas ndërhyrjes së kryer në Tiranë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033