Kina ka reaguar menjëherë ndaj tarifave prej 10% që SHBA vendosi për importet kineze, duke deklaruar se do të ndërmarrë kundërmasa për t’u hakmarrë.
Pekini ka njoftuar se do të vendosë tarifa të reja për një sërë produktesh amerikane, duke përfshirë taksën 15% për importet e qymyrit dhe gazit natyror të lëngshëm nga SHBA. Po ashtu, nafta bruto, makineritë bujqësore, kamionët dhe makinat me motor të madh do të përballen me një tarifë prej 10%.
Në një deklaratë të Ministrisë së Financave të Kinës, akuzohet administrata e Trump për shkeljen e rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). “Vendosja e njëanshme e tarifave nga SHBA-ja shkel seriozisht rregullat e OBT-së. Ajo jo vetëm që nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve të veta, por gjithashtu minon bashkëpunimin normal ekonomik dhe tregtar midis Kinës dhe SHBA-së,” thuhet në deklaratë. Kjo është një përplasje e re në marrëdhëniet tregtare midis dy ekonomive më të mëdha të botës.
Megjithatë, ndryshe nga tarifat e vendosura nga SHBA, të cilat prekin të gjitha mallrat kineze, taksat e importit që Kina ka vendosur do të fokusohen vetëm në disa produkte specifike. Kina ka përzgjedhur për masa kundërmonopolit dhe kontrolli i eksportit për disa produkte strategjike, si metalet e rralla.
Kina ka njoftuar gjithashtu se do të bëjë një hetim ndaj Google për praktikat monopoliste dhe do të zbatojë kontroll mbi eksportin e 25 llojeve të produkteve të rralla metalike, të cilat janë thelbësore për prodhimin e teknologjive të avancuara. Po ashtu, Kina ka shtuar disa kompani amerikane, përfshirë PVH Corp dhe Illumina, në listën e “entiteteve jo të besueshme,” një masë që mund të dëmtojë marrëdhëniet ekonomike me SHBA-në.
Në një zhvillim tjetër, tarifat e propozuara nga presidenti amerikan Donald Trump për Kanada dhe Meksikë, që arrinin në 25%, u anuluan më 3 shkurt, pas bisedave intensive midis Trump dhe liderëve të dy shteteve. Ky vendim u mor pas një marrëveshje për forcimin e sigurisë kufitare, duke u angazhuar të dy shtetet për të luftuar fluksin e imigracionit të paligjshëm dhe drogës, që është një nga prioritetet kryesore për administratën Trump.