Kuvendi i Shqipërisë do të mbledhë nesër, më 23 shkurt në orën 10:00, Këshillin e Imunitetit për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme lidhur me zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Balluku është aktualisht e pezulluar nga detyra, ndërsa SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit për të vijuar me procedurat që mund të përfshijnë masa më të ashpra, përfshirë arrestin me burg ose arrestin në shtëpi. Për këto masa kërkohet miratimi i Kuvendit, ndërsa për masa si detyrim paraqitjeje apo kontroll i pasaportës nuk nevojitet autorizim parlamentar.
Fillimisht, kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se nuk kishte urgjencë për trajtimin e kërkesës, duke argumentuar se hetimi mund të vijonte ndërkohë që Balluku ishte e pezulluar. Megjithatë, qasja e shumicës socialiste duket se ka ndryshuar.
Vendimi për thirrjen e Këshillit të Imunitetit erdhi pas një kërkese nga Bashkimi Europian, i cili theksoi nevojën për trajtim të shpejtë të çështjeve që lidhen me imunitetin parlamentar në kuadër të luftës kundër korrupsionit.
Ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale, që kërkojnë 84 vota në Parlament, nuk pritet të ndikojnë në rastin Balluku, pasi nuk kanë fuqi retroaktive mbi masat ekzistuese.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i marrë me votim 4-4, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë për pezullimin e saj nga detyra, duke e konsideruar të domosdoshme që ajo të mos ushtrojë funksionin gjatë hetimeve.
Balluku hetohet për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe për disa lote të Unazës së Madhe. Raporti i Këshillit të Imunitetit pritet të paraqitet në seancën plenare të 5 marsit.