Në një aktivitet promovues të mbajtur në Shtëpinë e Kongresit në Lushnje, artisti nga Çermenika e Librazhdit, Hysni Hoxha, solli një emocion të veçantë me këngën e tij dedikuar dy figurave madhështore të qytetit: Vaçe Zela dhe Margarita Xhepa.
Me zërin e tij plot ndjenjë dhe vargje që ngërthejnë dashuri, krenari dhe kujtim, kënga e Hysni Hoxhës i dha jetë ikonave të kulturës shqiptare, dy vajzave të Lushnjes që ndriçojnë si yje të pashuar në qiellin artistik të kombit.
Tingujt e melodisë, të shoqëruara me tekstin për Vaçen dhe Margaritën, mbushën sallën me emocion, nderim dhe mall për këto dy emra të pavdekshëm, që e kanë lartësuar emrin e Lushnjes brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Ky moment i veçantë u pasqyrua nga kamera e TV Apollon dhe gazetari Ndriçim Gjoshi, të cilët sollën për publikun atmosferën e një aktiviteti të mbushur me art, respekt dhe mirënjohje për figurat që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e qytetit dhe të kulturës shqiptare.


