Kavaja dhe Lushnja ndajnë nga një pikë në javën e 5-të të Kategorisë së Parë!

Në një ndeshje të luftuar, e vlefshme për javën e 5-të të Kategorisë së Parë, ekipet e Kavajës dhe Lushnjës ndanë pikët me rezultatin 1-1, në takimin e zhvilluar në fushën sportive të Luzit.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe kundërsulme nga të dyja skuadrat. Ekipi vendas kaloi i pari në avantazh në minutën e 15-të me një goditje të saktë të Beqajt, numri 7 i kavajasve. Por Lushnja reagoi shpejt dhe në minutën e 40-të arriti të barazojë me një gol me kokë nga Canka, duke vendosur baraspeshën që mbeti e pandryshuar deri në fund.

Në shkallët e stadiumit ishin të pranishëm edhe ish-trajnerë dhe figura të njohura të futbollit lushnjar, që vazhdojnë të ndjekin nga afër skuadrën verdhejeshile. Kjo ishte ndeshja e parë pas dorëheqjes së trajnerit të Lushnjës, ndërsa ekipi regjistroi barazimin e pestë radhazi, pa mundur të shijojë ende fitoren e parë në këtë sezon.

Pavarësisht mungesës së fitores, tifozët lushnjarë nuk e humbasin besimin dhe vazhdojnë të mbështesin ekipin me pasion në çdo përballje. Gara në Kategorinë e Parë mbetet e fortë dhe çdo pikë është vendimtare.

Nga Ndricim Gjoshi .

Ndaj Postimin: