Autoritetet franceze kanë ndaluar edhe katër persona të tjerë në lidhje me grabitjen e stolisë mbretërore franceze nga Galeria Apollo e Luvrit, një ngjarje që tronditi botën. Lajmi u konfirmua nga Prokuroria e Parisit, e cila i tha CNN se arrestimet e fundit janë pjesë e hetimit të zgjeruar për grabitjen spektakolare.
Të ndaluarit janë dy burra, të moshave tridhjetë e tetë dhe tridhjetë e nëntë vjeç, si dhe dy gra, tridhjetë e një dhe dyzet vjeç, të gjithë nga rajoni i Parisit. Ata do t’u nënshtrohen marrjes në pyetje nga hetuesit, së bashku me katër të dyshuar të tjerë të arrestuar në fund të tetorit.
Sipas Prokurores Laure Beccuau, nuk janë dhënë ende detaje mbi akuzat e mundshme, por BFMTV raporton se një nga personat e ndaluar është i dyshuari i katërt i bandës që kreu grabitjen. Nga arrestimet e mëparshme, tre të dyshuar janë akuzuar për grabitje të organizuar, ndërsa një grua akuzohet për bashkëpunim në grabitje të organizuar.
Grabitja ndodhi më nëntëmbëdhjetë tetor, kur hajdutët përdorën një shkallë të montuar në kamion për të hyrë përmes një dritareje në Galerinë Apollo, një nga ambjentet më të dekoruara të muzeut më të vizituar në botë.
Brenda vetëm shtatë minutash, ata thyen dy vitrina të sigurisë së lartë dhe morën me vete nëntë objekte të çmuara, përfshirë një set bizhuterish me diamant dhe safir të mbajtur dikur nga Mbretëresha Marie Amélie dhe Mbretëresha Hortense.
Gjatë arratisjes, hajdutëve u është rrëshqitur kurora perandorake e Perandoreshës Eugénie, e mbushur me një mijë e treqind e pesëdhjetë e katër diamante dhe pesëdhjetë e gjashtë smeralde, e cila u gjet më pas në vendngjarje.
Megjithë ndalimet e shumta, stolitë e vjedhura nuk janë gjetur ende. Ekzistojnë shqetësime serioze për fatin e tyre. Disa ekspertë frikësohen se bizhuteritë mund të jenë shkrirë dhe shitur për të shmangur gjurmimin, ndërsa të tjerë besojnë se arrestimet e shpejta e bëjnë këtë skenar më pak të mundshëm.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet përpiqen të rindërtojnë zinxhirin e plotë të ngjarjes dhe të zbulojnë vendndodhjen e thesarit mbi njëqind milionë dollarë, që mbetet ende i zhdukur.


