Mbeturinat e pahequra për ditë me radhë, disa rrugë gjasme të shtruara dhe disa të tjera të painvestuara për dekada ; lagje që, në vend të zonave rekreative, gjelbërimit dhe parqeve për fëmijë, kanë male të mëdha mbetjesh dhe vatra të herëpashershme zjarri, ku digjen mbetjet e lëna për javë të tëra të papastruara nga shërbimet publike të Bashkisë Vlorë.
Vlora është lënë në mëshirë të fatit. Rrugët dhe lagjet e saj dergjen mes papastërtisë, mbeturinave dhe rrugëve të pashtruara. Shembulli më konkret është zona pranë ish-fabrikës së çimentos, ku situata është më shumë se dramatike. Mbetjet, papastërtia dhe kanalet e hapura janë panorama e vetme që, për dekada me radhë, Bashkia Vlorë i ka rezervuar kësaj zone.
Ashtu si kjo zonë, janë edhe dhjetëra lagje në të gjithë Bashkinë Vlorë, të cilat duket sikur nuk ekzistojnë për shërbimet publike dhe për masterplanet e Bashkisë Vlorë.