Kasino ilegale dhe drogë në qendër të Lezhës, policia gjen para, kokainë dhe lojëra fati

Një godinë trekatëshe në Lezhë ishte kthyer në një kazino ilegale dhe njëkohësisht në pikë shpërndarjeje kokaine, deri në momentin kur u godit nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit “Fishat”.

Aksioni policor çoi në arrestimin e një 47-vjeçari, të dyshuar si përgjegjësi i aktivitetit të paligjshëm, ndërsa organizatori, 24 vjeç, u shpall në kërkim. Objekti ndodhej në bulevardin “Gjergj Fishta” dhe ishte marrë me qira për t’u përshtatur posaçërisht për lojëra fati dhe përdorim droge.

Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi 15 makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, disa doza kokaine, si dhe shuma të konsiderueshme parash. Vetëm në lekë u sekuestruan 725 000 lekë të rinj, ndërsa u gjetën edhe euro dhe dollarë amerikanë.

Në momentin e ndërhyrjes, në ambientet e kazinosë ilegale u kapën 15 shtetas duke luajtur lojëra fati, të cilët u proceduan penalisht.

Sipas Policisë, ndaj të arrestuarit rëndojnë akuza për organizim dhe ushtrim të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, prodhim dhe shitje narkotikësh, fshehje të ardhurash, mospagim taksash dhe pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për disa drejtues dhe punonjës të Policisë Lezhë, të cilët dyshohet se nuk kanë vepruar për zbulimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të rastit dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033