“Kartoni i zi” për Ramën dhe “uragani i shpresës”: Berisha ndez protestën e sotme

Në prag të protestës kombëtare, Sali Berisha ka dalë me një mesazh të fortë politik, duke kërkuar mobilizim masiv dhe duke sulmuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama pas takimit të tij në Bruksel.

“Sot është dita e uraganit të madh të shpresës dhe fitores”, deklaroi Berisha, duke u bërë thirrje qytetarëve të mbushin rrugët e Tiranës në atë që ai e quajti një nga momentet më kritike të historisë së vendit.

Në deklaratat e tij, kreu i opozitës përdori gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit, duke e cilësuar Ramën si “narko-diktator” dhe duke pretenduar se përfaqësuesit e vendeve më të mëdha të Bashkimit Europian i dhanë atij një mesazh të qartë në Bruksel.

“Sot në Bruksel patën përpara narko-diktatorin e parë të kontinentit. I nxorën jo kartonin e kuq, por kartonin e zi”, tha Berisha, duke e lidhur takimin e Ramës me atë që ai e përshkroi si dështim të rëndë ndërkombëtar.

Berisha akuzoi Ramën se, sipas tij, është i gatshëm të sakrifikojë interesat e Shqipërisë për të mbrojtur pushtetin dhe organizatën e tij kriminale, duke e përdorur këtë retorikë si pjesë të thirrjes për protestën e sotme.

Mesazhi i Berishës synon të ndezë mobilizimin opozitar vetëm disa orë përpara tubimit para Kryeministrisë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033