Kur dinjiteti i gruas në vendin e punës kërcënohet nga arroganca dhe mungesa e respektit.
Çdo grua meriton respekt në punë, jo presion e nënvlerësim nga një shef që e harron dinjitetin njerëzor dhe profesional.
Në Shqipëri, shumë gra përballen çdo ditë me një realitet të heshtur: mungesën e respektit në vendin e punës. Një prej tyre, është edhe rasti im që punoja në Bankers, kompani kineze, dhe isha e detyruar të përballoja një ambient të vështirë.
Ky nuk është një rast i izoluar. Në shumë sektorë të ekonomisë, sidomos në ato ku mbizotërojnë kompani të huaja që shpesh operojnë me pak kontroll institucional, mungesa e të drejtave bazë të punëmarrësve dhe trajtimi pa dinjitet janë kthyer në normë. Gratë, në veçanti, përballen me një sfidë të dyfishtë: diskriminim gjinor dhe presion psikologjik.
Dinjiteti i gruas në vendin e punës nuk është një luks, por një e drejtë themelore. Askush nuk duhet të ndjehet i kërcënuar, i frikësuar apo i nëpërkëmbur në një mjedis ku përkushtimi ndaj punës duhet të jetë i vetmi kriter vlerësimi. Kur një shef përdor zërin e lartë për të imponuar autoritetin, ai jo vetëm që cënon moralin e punonjësve, por shkel edhe standardet etike të menaxhimit.
Shteti shqiptar duhet të marrë masa më të forta për të mbrojtur punonjëset nga abuzimet psikologjike dhe shkeljet e dinjitetit në vendin e punës. Ligji ekziston, por zbatimi i tij shpesh mbetet në letër. Inspektorët e punës duhet të jenë më të pranishëm në terren dhe të reagojnë shpejt ndaj raportimeve të abuzimeve.
Duhet të ngremë zërin për respektin në punë! Është koha që gratë të mos ndihen më të detyruara të zgjedhin mes bukës dhe dinjitetit. Të gjitha gratë e punësuara meritojnë një mjedis profesional, të qetë dhe të drejtë, ku dinjiteti të mos negociohet.
Nëse heshtim sot, nesër abuzimi do të kthehet në standard. Por nëse flasim sot, krijojmë një shoqëri më të drejtë për të gjithë: për vajzat tona, nënat tona, për çdo grua që punon me ndershmëri dhe meriton më shumë se vetëm një vend pune: meriton respekt.
I drejtohem shoqërisë shqiptare, gruas shqiptare, liderët shkojnë e vijnë, shoqëria shqiptare dhe gruaja shqiptare duhet të jetë në lartësinë e nderit dhe dinjitetit të saj.
Nga një ish punonjëse e Bankersit…