Mes zhurmës së dallgëve, cicërimave të zogjve dhe peizazhit të rrallë natyror, laguna e Karavastasë vijon të mbetet një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët shtegtarë në vend.
Kjo hapësirë e veçantë natyrore kthehet çdo vit në strehë për mijëra shpendë, të cilët ndalojnë në lagunë gjatë udhëtimeve të tyre shtegtuese.
Por mes gjithë kësaj pasurie natyrore, një prej banorëve më të veçantë është pelikani kaçurrel, simboli i kësaj lagune dhe një nga shpendët që tërheq më shumë vëmendjen e vizitorëve.
Pamja e pelikanit në habitatin e tij natyror është një spektakël më vete. Turistë vendas dhe të huaj mbërrijnë në Karavasta për të parë nga afër këtë shpend madhështor dhe për të shijuar bukurinë e një prej zonave më të pasura të biodiversitetit në Shqipëri.
Këtu, natyra dhe shpendët duket se kanë gjetur një ekuilibër të veçantë. Ushqimi i bollshëm dhe kushtet natyrore e bëjnë lagunën një habitat të përshtatshëm për shumë specie shtegtare.
Dhe pelikani kaçurrel nuk është i vetmi spektator i kësaj panorame. Në ujërat dhe brigjet e lagunës mund të dallohen edhe flamingot dhe shumë lloje të tjera shpendësh.
Vizitorët, me aparatet fotografike në duar, përpiqen të fiksojnë çdo moment të këtij spektakli natyror, ndërsa shpendët vijojnë jetën e tyre në qetësinë e lagunës.
Karavastaja mbetet kështu një pasuri e çmuar natyrore, ku bashkëjetesa mes njeriut dhe natyrës kthehet në një eksperiencë të veçantë për çdo vizitor.