Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, konfirmoi anulimin e tenderit për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, duke sqaruar se procedura u ndërpre pas tërheqjes së ofertuesit të vetëm në garë.
Në një deklaratë për mediat, ministri theksoi se tërheqja është argumentuar me arsye ekonomike, të lidhura me rritjen e kostove dhe efektet e krizës, që sipas tij kanë ndikuar në koston totale të projektit.
Sipas Karakaçit, komisioni përkatës do të vijojë me procedurat e mëtejshme, ndërsa qeveria do të hartojë një skenar alternativ për realizimin e investimit. Ai e cilësoi portin si një projekt me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe deklaroi se asnjë faktor apo aktor nuk do të mund ta pengojë realizimin e tij.
I pyetur mbi pretendimet për influenca ruse në lidhje me projektin, ministri i quajti ato aludime. Ndërsa për shqetësimet e ngritura nga pala amerikane, ai u shpreh se kushdo ka të drejtë të shprehë opinionin e tij, por theksoi se projekti është konceptuar prej më shumë se dy vitesh dhe ka kaluar nëpër fazat përkatëse proceduriale, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Karakaçi sqaroi gjithashtu se vonesat në projekte të tjera, siç është marina, lidhen me fazat e veçanta të zbatimit dhe nuk kanë lidhje me procedurën e portit në Porto Romano.