Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është vënë në pranga në Gjermani, në kuadër të një operacioni policor ndërkombëtar për kapjen e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Policia e Shtetit bëri të ditur se arrestimi i shtetasit H. M., 60 vjeç, u realizua në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët gjermanë. Ai ishte në kërkim për disa vepra penale të lidhura me falsifikimin dhe përvetësimin e pronës.
Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, të datës 19 qershor 2022, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Hetimet kanë zbuluar se 60-vjeçari dyshohet se ka përvetësuar një apartament në Vlorë duke përdorur dokumente të falsifikuara, përfshirë një leje ndërtimi. Më pas, ai ka shembur apartamentin e përvetësuar dhe ka ndërtuar një objekt tjetër me përmasa të mëdha, në dëm të shtetasit J. M.
Interpol Tirana ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, po kryhen procedurat për ekstradimin e H. M. drejt Shqipërisë, ku ai do të përballet me akuzat përkatëse para organeve të drejtësisë.