Policia ka vënë në pranga një 38-vjeçar, i cili u kap në flagrancë duke shpërndarë lëndë narkotike në ambientin e vendit të tij të punës, një bilardo në zonën e Matit.
Sipas të dhënave të bëra publike nga uniformat blu, veprimi policor u realizua nga strukturat e Hetimit të Narkotikëve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, pas evidentimit të një rasti të shitjes së kanabisit në doza.
Gjatë kontrollit, policia gjeti në posedim të shtetasit F.P., 38 vjeç, banues në fshatin Suç, Klos, 19 doza kanabisi të përgatitura për tregtim. Si prova materiale u sekuestruan lënda narkotike dhe një telefon celular.
I arrestuari është shoqëruar në ambientet e policisë, ndërsa dosja procedurale është referuar pranë Prokurorisë së Dibrës për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme ligjore.