Kapen në Mal të Zi dhe ekstradohet në Shqipëri 31-vjeçari Magiljan Deda, i akuzuar për kultivim narkotikësh në Lezhë

Një 31-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare është arrestuar në Mal të Zi dhe është ekstraduar drejt Shqipërisë. Bëhet fjalë për shtetasin Magiljan Deda, i lindur në Lezhë, i akuzuar si bashkautor në kultivimin e mijëra bimëve narkotike në disa fshatra të qarkut Lezhë gjatë këtij viti.

Arrestimi dhe ekstradimi i tij u realizuan si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Podgoricës. Magiljan Deda ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila në muajin prill 2025 i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve, Deda dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë të identifikuar gjatë operacionit policor të koduar “Vakumi”, ka kultivuar mijëra bimë narkotike në fshatrat Gocaj dhe Rraboshtë, në qarkun Lezhë. Lënda narkotike ishte përpunuar me qëllim shitjen.

Shitja e saj u parandalua nga shërbimet e Policisë së Lezhës, të cilat gjatë operacionit “Vakumi”, në muajin prill, sekuestruan në fshatin Balldre tre thasë me rreth 34 kilogramë cannabis. Hetimet për këtë çështje vijojnë.

Ndaj Postimin: