Një incident i rëndë ka tronditur futbollin shqiptar mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Flamurtari” në Vlorë, ku një përplasje mes lojtarëve u kthye në kaos të plotë, me ndërhyrjen e tifozëve në fushë dhe ndërprerjen e ndeshjes për rreth 22 minuta.
Ngjarja nisi në minutën e 68-të e 30 sekonda të takimit, pas një konflikti fizik mes lojtarëve Skuadronja dhe Beshiraj. Teksa gjyqtari ndërhyri për të qetësuar situatën në fushë, tensionet u përshkallëzuan në tribuna, ku një grup tifozësh vendas kapërcyen rrethimin e brendshëm të stadiumit dhe zbritën në fushë, duke u përplasur me lojtarët kundërshtarë. Situata agravoi edhe më tej kur në fushë hynë me shpejtësi edhe anëtarët e pankinës së Teutës.
Në ato momente, stadiumi u përfshi nga kaosi, ndërsa forcat e policisë u përpoqën të rivendosnin rendin, duke ndërhyrë fillimisht në tribunën nga ku nisi incidenti. Përplasjet dhe tensionet e krijuara e bënë të pamundur vazhdimin normal të ndeshjes, e cila u ndërpre menjëherë. Gjyqtarët u tërhoqën në dhomat e zhveshjes, ndërsa lojtarët e të dyja skuadrave u grumbulluan pranë pankinave.
Delegati i ndeshjes kërkoi boshatisjen e tribunës përballë nga tifozët, për të garantuar sigurinë. Pas negociatave me policinë, tifozët u larguan gradualisht nga zona e rrezikshme dhe u mbajtën nën kontroll pranë daljeve të stadiumit, duke shmangur incidente të tjera.
Pas rreth 13 minutash, lojtarët e Teutës dolën në fushë për t’u nxehur, ndërsa vetëm pasi u sigurua largimi i tifozëve nga tribuna problematike, gjyqtarët u rikthyen në fushë. Para rifillimit të lojës, arbitri kryesor thirri dy lojtarët që shkaktuan konfliktin fillestar, duke i paralajmëruar që situata të tilla të mos përsëriteshin. Ndeshja rinisi aty ku ishte ndërprerë, në minutën e 68-të e 30 sekonda.
Pas përfundimit të takimit, policia shoqëroi gjyqtarët drejt tunelit të stadiumit për arsye sigurie. Jashtë impiantit ishin vendosur forca të shtuara, ndërsa tifozët u larguan pa incidente të tjera. Megjithatë, ngjarja pritet të ketë pasoja disiplinore, me gjasa për dënime të rënda ndaj klubit vendas, përfshirë zhvillimin e ndeshjeve pa praninë e tifozëve.
Incidenti në Vlorë konsiderohet ndër rastet më të rënda të dhunës së shënuara kohët e fundit në stadiumet shqiptare dhe ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe menaxhimin e eventeve sportive.


