Kaos në sportelet e postës në Patos: Pensionistët protestojnë për shërbimet

Një ditë para ndërrimit të viteve, sportelet e postës në Patos u mbushën me pensionistë që përpiqeshin të tërhiqnin pensionin dhe bonusin e fundvitit.

Dyndja e madhe ka shkaktuar pakënaqësi mes të moshuarve, të cilët shprehen të lodhur nga pritjet e gjata dhe vonesat e përsëritura në ofrimin e shërbimeve.

Shumë pensionistë ankohen se, pavarësisht se kanë dorëzuar kartat e identitetit disa ditë më parë, ende nuk kanë mundur të tërheqin paratë e tyre. “Është e papranueshme. Kam qëndruar në këmbë për orë të tëra, por mezi po e përballoj,” thotë një e moshuar, e cila shton se për vete mund të mbështetet tek fëmijët që jetojnë në emigracion, por është e shqetësuar për të tjerët që nuk kanë këtë mundësi.

Një pensionist i ardhur nga Athina shprehet se vonesat i kanë prishur të gjitha planet për fundvit. “Nuk mund të ndodhë kjo situatë çdo vit. Duhen më shumë sportele, sepse kaosi i krijuar është i papranueshëm dhe ndodh vetëm në Shqipëri,” thekson ai.

Pensionistët kërkojnë që problemet e përsëritura në shërbimet postare të marrin zgjidhje të menjëhershme. Ata propozojnë shtimin e sporteleve dhe hapjen e pikave të reja për të lehtësuar fluksin, duke theksuar se shërbimet e tanishme nuk përballojnë dot nevojat e tyre.

Sipas tyre, situata bëhet edhe më e rëndë pasi sportelet në Patos u shërbejnë jo vetëm pensionistëve të qytetit, por edhe atyre nga zonat rurale përreth. Kjo përkeqëson ndjeshëm pritjet dhe krijon radhë të gjata që zgjasin për orë të tëra.

Shumë të moshuar shprehin zhgënjim për mungesën e një zgjidhjeje afatgjatë nga autoritetet. “,” thotë një tjetër qytetar, duke shtuar se e gjithë përvoja është stresuese dhe degraduese për të moshuarit.

Ndërkohë, autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për situatën. Pensionistët paralajmërojnë se nëse gjendja vazhdon kështu, do të jenë të detyruar të kërkojnë zgjidhje më të ashpra përmes protestave.

Gjendja në Patos është një shembull i një problemi më të gjerë që prek shumë pensionistë në Shqipëri, të cilët kërkojnë dinjitet dhe shërbime më cilësore në trajtimin e tyre.

Ndaj Postimin: