Kanale të harruara, bujqësi në tharje: Bashkia Fier mbyll sytë ndaj tokës që shuhet, ndërhyrjet sporadike.

Për vite të tëra, rrjeti i kanaleve vaditëse në Fier është lënë në mëshirën e kohës, duke tharë tokat dhe shkatërruar mundin e fermerëve që sot luftojnë për mbijetesë.

Në Fier, toka po shuhet ngadalë, jo nga thatësira natyrore, por nga paaftësia e bashkisë për të mbajtur gjallë arteriet që ushqejnë bujqësinë. Kanale të mbuluara me barishte, mbeturina e baltë kanë kthyer dikur tokat pjellore në arë të pashpresë.

Fermerët në zonën e Hoxharës shohin çdo ditë si djersa e tyre humbet në rrjedhat e munguara të ujit. Prej vitesh, ata kërkojnë ndërhyrje, por përgjigjja ka qenë gjithmonë e njëjtë: heshtje. Vetëm tani, në prag të sezonit të ri, janë kujtuar të hapin disa segmente kanalesh, një veprim më shumë për sy e faqe sesa për zgjidhje reale.

Bashkia Fier, që prej kohësh shpenzon miliona për fasada e rrugë anësore, ka braktisur atë që mban gjallë ekonominë lokale: bujqësinë. Në fshatra si Hoxharë, Dërmenas e Pojan, rrjeti i kullimit është totalisht i amortizuar. Në shumë segmente, ujërat e ndotura përzihen me ato vaditëse, duke dëmtuar edhe më shumë tokat. Më poshtë është një hartë me të gjitha segmentet problematike të kanaleve kulluese e vaditëse në bashkinë Fier:



“Ne s’kemi ujë për të vaditur, por bashkia bën tendera për sheshe e ndriçime”, thotë një fermer i moshuar në Hoxharë. Fjalia e tij përmbledh një realitet që Fierit i kushton rëndë: tokë pa prodhim, ekonomi pa frymë.

Punimet që po zhvillohen këto ditë në disa njësi administrative janë vetëm ndërhyrje të përkohshme, shpesh me mjete të vjetra e pa standard teknik. Asnjë strategji afatgjatë nuk është në plan, asnjë projekt modernizimi nuk është bërë publik nga bashkia, ndonëse grantet dhe fondet europiane për menaxhimin e ujërave janë të shumta.

Ekspertët e bujqësisë paralajmërojnë se nëse situata vazhdon kështu, tokat e Fierit rrezikojnë të kthehen në zona të pashfrytëzueshme brenda pak vitesh. Pa një rrjet funksional ujitjeje, investimet në sera apo kultura intensive janë të destinuara të dështojnë.

Pastrimi i kanaleve nuk është një aksion sezonal, por një domosdoshmëri për mbijetesën e bujqësisë. Deri më sot, bashkia e Fierit ka dështuar ta kuptojë këtë. Ndërsa fshatarët punojnë me lopata për të hapur kanalet e mbuluara, institucionet shfaqen vetëm për foto e propagandë.

Në fund, fshati pret ujë, jo premtime. Dhe uji nuk vjen nga fjalët e zyrtarëve, por nga kanalet që prej vitesh janë lënë të vdesin nën baltë. Fierit nuk i mungon toka, por vullneti për ta mbajtur atë gjallë.

Burime zyrtare për planifikimin, kanalizimet dhe financat në Bashkinë Fier

Ndaj Postimin: