Magazinë sekrete për marka false në Kamëz arrestohet shtetasi turk një tjetër në kërkim

Një aktivitet i paligjshëm i falsifikimit dhe tregtimit të veshjeve me logo të markave të njohura ndërkombëtare është goditur në Kamëz, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brands 2”.

Gjatë këtij operacioni është arrestuar shtetasi turk Ozkan Sulun, 46 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi turk Mehmet Karçiga, 50 vjeç. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë tre punonjëse të magazinës, shtetaset L. M., Sh. M. dhe Sh. B.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në zonën e Kamzës, shërbimet e Policisë kanë zbuluar një magazinë ku stampoheshin veshje dhe këpucë të kontrabanduara, të pajisura me logo false të markave ndërkombëtare. Në ambientet e magazinës janë sekuestruar sasi të mëdha veshjesh dhe këpucësh të dyshuara si kontrabandë, makineri lazeri, pajisje printimi dhe stampimi, stampa dhe logo të markave të njohura, një aparat celular si dhe dokumente dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Nga verifikimet paraprake dyshohet se mallrat kishin shmangur detyrimet doganore dhe përdoreshin pajisje të posaçme për falsifikimin e logove, të cilat më pas vendoseshin në produkte të ndryshme me qëllim tregtimin e tyre.

Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033