Policia ka publikuar fakte të tjera lidhur me dhunimin e një të riu në Golem.
Djemtë dhe dhëndri i pronarit të hotelit dhunuan kamerierin për pagesën, xhaxhai shkoi me kallashnikov për t’u hakmarrë.
Ngjarja e rëndë kriminale është parandaluar dy netë më parë në zonën e Malit të Robit në Golem, pas një konflikti në një hotel që rrezikoi të përshkallëzohej në një përplasje me armë zjarri.
Shkak është bërë dhunimi i 18-vjeçarit Genti Nela, i cili punonte si kamerier në lokalin e hotelit. Sipas hetimeve paraprake, i riu është dhunuar pas një konflikti për pagesën e punës së kryer.
Për dhunimin e 18-vjeçarit janë arrestuar Florian Habilaj, 28 vjeç, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç, ndërsa Arbër Habilaj, 36 vjeç, është shpallur në kërkim. Personi tjetër i përfshirë, 36 vjeç, është proceduar në gjendje të lirë.
Sipas policisë, personat e dyshuar për dhunimin e 18-vjeçarit janë pjesëtarë të familjes së pronarit të hotelit. Florian Habilaj dhe Arbër Habilaj janë djemtë e pronarit, ndërsa personi tjetër është dhëndri i tij. Enold Dragoti është shoku i tyre.
Pas dhunimit, Genti Nela u dërgua në Spitalin e Kavajës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, teksa policia po kryente veprimet në hotel, mori informacion në rrugë operative se xhaxhai i 18-vjeçarit, 47-vjeçari Melison Nela, ishte armatosur dhe po shkonte drejt hotelit, me qëllim hakmarrjen ndaj personave që kishin dhunuar nipin.