Një 24-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi u kap në afërsi të terminalit të autobusëve, në rrugën “Kastriotët”, duke transportuar në një valixhe një armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, të dyshuar me qëllim shitjen.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Luggage”, i finalizuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas një ndërhyrjeje të menjëhershme të bazuar në informacion të siguruar në rrugë operative. Në flagrancë u ndalua shtetasi H. M., 24 vjeç, banues në Bathore.
Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.


