Në qendrën e stërvitjes në Bizë, Forca Tokësore fillon operacionet e mëdha ushtarake për stërvitjen më komplekse të dekadës në Evropë dhe Afrikë.
Stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe ‘25” ka nisur zyrtarisht me angazhimin e trupave të Forcës Tokësore, të cilët nga qendra stërvitore në Zall Herri u nisën drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi. Ky është një prej manovrave më të mëdha dhe më komplekse që zhvillohen në dekadën e fundit, duke përfshirë vendet e Evropës dhe Afrikës.
Organizuar nën drejtimin e Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM), kjo stërvitje ndërkombëtare përfshin bashkëpunimin e ngushtë të vendeve aleate dhe partnere të NATO-s. Ajo synon forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes forcave të armatosura të vendeve pjesëmarrëse.
Shqipëria luan një rol kyç në këtë stërvitje si një nga vendet pritëse më strategjike. Vendndodhja dhe kapacitetet e saj janë thelbësore për garantimin e suksesit të operacioneve ushtarake dhe zhvillimeve të planifikuara gjatë stërvitjes.
Qëllimi kryesor i “Defender Europe ‘25” është të rrisë ndërveprimin mes forcave aleate, të forcojë gatishmërinë ushtarake dhe të përmirësojë aftësitë për t’u përgjigjur shpejt ndaj çdo kërcënimi potencial në hapësirën euroatlantike. Kjo nismë mbetet një test i rëndësishëm për bashkëpunimin dhe sigurinë rajonale.
Përmes kësaj stërvitjeje, forcat e armatosura demonstrojnë angazhimin e tyre për stabilitetin dhe paqen në zonën e NATO-s, duke garantuar një reagim efektiv dhe të koordinuar në rast nevoje. Shqipëria, me përkushtimin e saj, kontribuon drejtpërdrejt në këtë mision madhor ndërkombëtar.