Stacioni i Zjarrfikëses Lushnje ka ndërmarrë një inspektim të plotë të rrjetit të hidranteve, me qëllim garantimin e funksionimit të tyre në rast emergjencash.
Punonjësit e stacionit janë ndarë në katër grupe pune dhe po kryejnë verifikime në terren për gjendjen teknike, presionin e ujit dhe aksesueshmërinë e çdo hidranti.
Sipas të dhënave zyrtare, Bashkia Lushnje ka në dispozicion 60 hidrante në funksion të përballimit të situatave të mundshme të zjarrit.
Shefi i stacionit të zjarrfikëses, Xhezmi Metushi, shprehet se ky kontroll është një masë parandaluese e domosdoshme, veçanërisht në periudha me temperatura të larta, kur rreziku i zjarreve rritet ndjeshëm.
Ai thekson se verifikimi periodik i hidranteve siguron reagim më të shpejtë dhe efikas nga strukturat zjarrfikëse, duke rritur sigurinë për qytetarët dhe bizneset në territorin e bashkisë.
Kontrollet do të vijojnë në ditët në vijim deri në përfundimin e inspektimit të plotë të të gjitha pikave të furnizimit me ujë për emergjencat.
N&Gj