Edon Zhegrova është pranë transferimit te Juventusi, me marrëveshjen e arritur dhe nënshkrimin që pritet të finalizohet brenda orëve në vijim.
Lajmi i madh për futbollistin shqiptar të Kosovës vjen nga gazetari i njohur italian, Fabrizio Romano, i cili ka konfirmuar se palët kanë mbyllur bisedimet dhe kanë arritur akordin përfundimtar.
Sipas raportimeve, “Zonja e Vjetër” do të paguajë midis 20 dhe 25 milionë euro për kartonin e sulmuesit anësor që aktivizohet me Lilën në Ligue 1. Ky transferim konsiderohet një hap i madh në karrierën e tij, duke e çuar në një nga klubet më të mëdha të Europës.
Marrëveshja personale mes Zhegrovës dhe Juventusit ka qenë e gatshme prej kohësh, por procesi u zvarrit për shkak të një dëmtimi që e ka mbajtur 26-vjeçarin jashtë fushave që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Gjatë periudhës së tij te Lille, Zhegrova ka zhvilluar 107 ndeshje, duke realizuar 26 gola dhe dhënë 18 asistime. Shifrat e tij të qëndrueshme kanë tërhequr vëmendjen e skautëve të Juventusit, të cilët kanë ndjekur me kujdes paraqitjet e tij.
Kontrata e tij me klubin francez skadon në verën e ardhshme, çka ka ndikuar në negociata dhe ka lehtësuar arritjen e marrëveshjes për transferim. Tashmë, mbetet vetëm firma zyrtare dhe prezantimi me fanellën bardhezi.
Tifozët e Juventusit presin me entuziazëm afrimin e tij, ndërsa për Zhegrovën ky është një moment vendimtar për të treguar vlerat e tij në një skenë edhe më të madhe.