Jeta në Shqipëri, pse çdo familje po paguan më shumë

Familjet shqiptare me fëmijë përballen me kosto gjithnjë e më të larta jetese, ndërsa individët e vetëm shpenzojnë më pak.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, shpenzimet e jetesës në Shqipëri gjatë viteve 2021–2023 ndryshuan ndjeshëm në varësi të përbërjes së familjes. Individët e vetëm kishin kostot më të ulëta, ndërsa familjet me fëmijë mbartnin barrën më të rëndë.

Në vitin 2021, një person i vetëm shpenzonte mesatarisht 46.815 lekë në muaj, ndërsa një familje me tre ose më shumë të rritur dhe fëmijë arrinte 98.795 lekë. Dy të rritur me fëmijë shpenzonin rreth 87.439 lekë, ndërsa dy të rritur pa fëmijë 63.557 lekë. Mesatarja për të gjitha tipologjitë ishte 84.548 lekë.

Një vit më vonë, në 2022, kostot për individët e vetëm mbetën të qëndrueshme me 46.660 lekë. Por familjet me fëmijë përjetuan rritje të ndjeshme: dy të rritur me fëmijë shpenzuan 92.889 lekë, ndërsa tri ose më shumë të rritur me fëmijë arritën 104.177 lekë. Mesatarja kombëtare u rrit në 88.367 lekë.

Në vitin 2023, presioni mbi individët e vetëm u rrit ndjeshëm, pasi shpenzimet e tyre mujore arritën 55.940 lekë. Familjet e mëdha me fëmijë shënuan sërish shpenzimet më të larta, duke kaluar në 109.671 lekë. Mesatarja për të gjitha tipet e familjeve u rrit në 91.675 lekë.

Ekspertët theksojnë se ky ndryshim është pasojë e faktorëve të kombinuar si inflacioni, kriza energjetike, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe pasojat e pandemisë. Familjet me fëmijë shpenzojnë dukshëm më shumë për ushqim, transport, edukim dhe shërbime të tjera.

Ndërkohë, edhe pse individët e vetëm përballen me shpenzime më të ulëta absolute, rritja e çmimeve i godet drejtpërdrejt për shkak të mungesës së shpërndarjes së kostove brenda familjes. Kjo e bën koston e jetesës një barrë të ndjeshme për çdo kategori në Shqipëri.

Ndaj Postimin: