Jeta e përditshme pas armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit mbetet e pasigurt dhe e mbushur me kujtime lufte

Armëpushimi për të dytën ditë sjell shpresë për qetësi në Iran dhe Izrael, por pasojat e konfliktit mbeten të dukshme në jetën e qytetarëve

Pas një periudhe intensive luftimesh mes Izraelit dhe Iranit, dita e dytë e armëpushimit solli përpjekjet e para të qytetarëve për t’u rikthyer në një formë normaliteti. Në Izrael, nxënësit u kthyen në shkolla që kishin shërbyer si strehimore kundër raketave, ndërsa në Iran u rikthyen gradualisht shërbimet e internetit të kufizuara gjatë konfliktit.

Për shumë banorë, rikthimi në jetën e zakonshme është i vështirë dhe i ngadalshëm. Ido Emanuel, një sipërmarrës 30-vjeçar në Jerusalem, kujtoi momentet kur u detyrua të strehojë klientët në kafenenë e tij gjatë alarmit për sulm iranian. Ai theksoi se ndonëse bombardimet përfunduan, frika dhe pasiguria vazhdojnë tek stafi dhe banorët.

Sipas autoriteteve izraelite, gjatë kundërsulmeve të Iranit u vranë të paktën 28 persona dhe mbi 1,000 të tjerë u plagosën. Ushtria izraelite raportoi gjithashtu për rreth 15,000 persona të evakuuar nga banesat e dëmtuara nga raketat, duke thelluar krizën humanitare në vend.

Konflikti me Iranin mund të ketë përfunduar përkohësisht, por Gaza mbetet ende një plagë e hapur për njerzit që jetojnë atje në rrënojat e luftës, pa ushqim dhe pa ndihma humanitare.

Ndërkohë, qytetarë si Eldad Albow dhe familja e tij vazhdojnë të jenë të zhvendosur. Apartamenti i tij në Bat Yam u dëmtua nga një raketë, ndërsa vajzat e tij nuk mundën të kthehen në shkollë, pasi godina ishte dëmtuar rëndë. Familja është strehuar përkohësisht në një hotel, në pritje të një zgjidhjeje afatgjatë.

“Ndërsa të tjerët po përpiqen të rikthehen në jetën normale, ne ende nuk kemi mundur të bëjmë të njëjtën gjë,” tha Albow.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë në Iran raportoi të mërkurën se sulmet ajrore izraelite kanë lënë pas 627 viktima dhe 4,870 të plagosur. Shumica e humbjeve u regjistruan në qytetet Teheran dhe Kermanshah. Sipas zyrtarëve iranianë, 86 përqind e viktimave humbën jetën në vendin e ngjarjes, duke dëshmuar për intensitetin e bombardimeve.

Ndaj Postimin: