Lumi Cem, sjell mes kujtimeve të fëmijërisë, na rrëfen jetën aty ku u rrit mes maleve, ku uji rrjedh në këtë luginë dhe ku nisi hapat e parë të jetës. Pikërisht këtu ai u arsimua në shkollën fillore, në vendin ku lindën ëndrrat e para, mes tokës së tij dhe flamurit dykrenar të Skënderbeut.
Kujtimet mbeten të gjalla në çdo cep të kësaj zone, aty ku jeta ndërtohet mes dy gjuhëve: shqipes, gjuhës së nënës, dhe malazezes – një dëshmi e bashkëjetesës dhe identitetit të fortë shqiptar.
Mirsad Lulanaj, sot 36 vjeç dhe familjar, na hapi dyert e shtëpisë së tij. Gjatë vizitës, djali i tij i vogël, Siari, na priti me flamurin shqiptar në duar, duke përshëndetur stafin e TV Apollon me shqiponjën e formuar me duar – një mikpritës i vogël, por me vlera të mëdha shpirtërore.
Vizita në familjen e Mirsadit u kthye në një udhëtim emocionesh dhe kujtimesh, një arkiv i gjallë i jetës së tij. Ai na tregoi për fëmijërinë pranë lumit që kalon afër shtëpisë, duke sjellë në vëmendje kujtime të heshtura, por edhe të rrëfyera përmes mikrofonit të TV Apollon.
Një histori e thjeshtë, por e fortë, që pasqyron rrënjët, identitetin dhe dashurinë për vendlindjen.